Nisma e pavarur dhe jopartiake kërkon votim kombëtar për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.
12 qytetarë nismëtarë paraqitën para pak ditësh kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke hedhur hapin e parë zyrtar drejt një referendumi kombëtar për shfuqizimin e Ligjit Nr. 21/2024; KQZ-ja e ka protokolluar dhe e ka publikuar zyrtarisht kërkesën.
Ligji që i hapi derën ‘turizmit të ekselencës’ brenda parqeve kombëtare të Shqipërisë — dhe që sot gjendet në zemër të Revolucionit Flamingo — po përballet me sfidën e tij më konkrete deri më sot.
I miratuar në shkurt 2024, Ligji Nr. 21/2024 zëvëndësoi nenin që kufizonte ndërtimet brenda zonave të mbrojtura dhe në vend të tij prezantoi konceptin e ‘turizmit të ekselencës’: struktura akomoduese me 5 yje e më shumë u lejuan tashmë edhe brenda zonave të mbrojtura, ndërkohë që Këshillit të Ministrave iu dhanë kompetenca të gjera për të ndryshuar vetë kufijtë dhe zonimin e këtyre territoreve. Pikërisht kjo dispozitë krijoi hapësirën ligjore ku u avancua projekti turistik luksoz në Vjosë-Nartë, i lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner. Ky projekt që, pas muajsh punimesh pa leje e pa vlerësim mjedisor, u bë shkëndija e zgjimit të një populli që prej kohësh duronte në heshtje padrejtësitë e qeverisë së tij, dhe ndezi protestat e përditshme që sot, prej afërsisht 70 ditësh, njihen si Revolucioni Flamingo.
Lëvizja, cilësuar nga media ndërkombëtare si më e madhja në Shqipëri që prej rënies së komunizmit, shkoi përtej Vjosë-Nartës dhe zonave të tjera të mbrojtura, duke u shndërruar në një thirrje më të gjerë për llogaridhënie, transparencë dhe reformë politike; ligji për zonat e mbrojtura mbetet një prej themeleve të saj.
Nisma për shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024, përmes së drejtës qytetare për referendum, është e pavarur nga çdo forcë politike dhe mbështetet në një parim të qartë: qytetarët po ushtrojnë drejtpërdrejt të drejtën që u njeh Kushtetuta për të kërkuar shfuqizimin e një ligji që prek interesin publik dhe trashëgiminë natyrore të vendit. Ka një simetri poetike që vështirë se kalon pa u vënë re: ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, të miratuara si Ligji nr. 21/2024, u propozuan nga 12 deputetë; ndërsa shfuqizimin e tij po e kërkojnë, sot, 12 qytetarë.
Shqiptarët nuk kanë votuar në një referendum kombëtar që prej vitit 1998, viti kur edhe vetë Kushtetuta aktuale — akti që tashmë i garanton kësaj nisme të drejtën për t’u dëgjuar — iu nënshtrua vetë popullit për miratim. Neni 2 i asaj Kushtetute përcakton se sovraniteti i përket popullit, i cili e ushtron atë nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejt; Neni 150 i jep këtij parimi një mekanizëm konkret, duke i njohur më shumë se 50 mijë shtetasve me të drejtë vote të drejtën për të kërkuar referendum për shfuqizimin e një ligji.
Pse kjo nismë vjen tani
Shqetësimet që ushqejnë këtë nismë nuk janë as të reja, as të pambështetura — të dokumentuara edhe nga vetë institucionet e Bashkimit Evropian, të cilit Shqipëria synon t’i bashkohet. Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025, pjesë e paketës vjetore të zgjerimit, konstatoi se mbrojtja e natyrës në vend është përkeqësuar që prej hyrjes në fuqi të ndryshimeve, se vlerësimi i ndikimit në mjedis mbetet i dobët në praktikë, dhe se pjesëmarrja publike në vendimmarrjen mjedisore nuk shënoi asnjë përmirësim gjatë vitit. Komisioni i lidhi këto konstatime drejtpërdrejt me Kapitullin 27 të negociatave për anëtarësim në BE, kapitullin e mjedisit dhe klimës, mbylljen e të cilit vetë qeveria shqiptare e ka kushtëzuar me trajtimin e këtyre ndryshimeve. Pra edhe Brukseli, partneri që Tirana kërkon të bindë më shumë se kushdo tjetër, e sheh Ligjin Nr. 21/2024 si pjesë të problemit, jo të zgjidhjes.
Vetë Kuvendi e ka pasur mundësinë të vepronte që nga nisja e protestave dhe, krahas kërkesave të institucioneve të Bashkimit Evropian për rishikimin dhe shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme, në Kuvend janë paraqitur të paktën dy nisma ligjore për shfuqizimin e ndryshimeve, por deri më sot asnjëra nuk është përfshirë në rendin e ditës. Pikërisht në këtë pikë marrin kuptim të plotë parimi i sanksionuar në nenin 2 dhe mekanizmi i parashikuar në nenin 150 të Kushtetutës: kur përfaqësuesit e zgjedhur nuk veprojnë, populli ka të drejtën kushtetuese ta marrë fjalën drejtpërdrejt. Referendumi e nxjerr çështjen përtej kufijve të procedurës parlamentare dhe ia kalon vendimmarrjen qytetarëve me të drejtë vote, pavarësisht bindjeve të tyre politike apo vendbanimit. Për nismëtarët, kjo ngre një pyetje themelore: a duhet mbrojtja e interesit publik të vijë vetëm pasi dëmi të jetë shkaktuar, apo qytetarët duhet të kenë mundësinë të përdorin mjetet që u njeh Kushtetuta për të vepruar përpara se pasojat të bëhen të pakthyeshme?
Çfarë vjen më pas
Me kërkesën tashmë të protokolluar nga KQZ-ja, radha i takon formularit zyrtar të nënshkrimeve, që do të bëhet publik sapo të miratohet. Më pas, grupi duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën 50 mijë shtetasve me të drejtë vote — pragu që përcakton Neni 150 i Kushtetutës — duke përdorur vetëm atë formular. Në fund, Gjykata Kushtetuese do të kryejë brenda 60 ditëve shqyrtimin paraprak që kërkon Neni 152; nëse ky shqyrtim është pozitiv, Presidenti i Republikës cakton datën e referendumit me dekret.
Rolet dhe informimi publik
Grupi i qytetarëve nismëtarë është aplikuesi zyrtar pranë KQZ-së dhe mban përgjegjësinë e vetme për kërkesën për referendum. Albanian Diaspora Civic Network (ADCN), një rrjet i pavarur dhe jopartiak i shqiptarëve jashtë vendit, mbështet nismën me punë kërkimore, informim publik, edukim qytetar, komunikim dhe koordinim praktik. ADCN nuk është aplikuesi, nuk e drejton nismën, dhe nuk zëvendëson KQZ-në apo çdo institucion tjetër kompetent.
Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni faqen e referendumit.
Kontakt për media: team@albaniandiasporacivicnetwork.com. Jeni të mirëpritur të kërkoni materiale mbështetëse dhe/ose më shumë informacion për nismëtarët.
Burimet
- Kërkesa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)
- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Nenet 2 dhe 150–152
- Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, Neni 185(2)
- Ligji Nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 ‘Për zonat e mbrojtura’”
- Ligji Nr. 81/2017, “Për zonat e mbrojtura” (i përditësuar)
- Vendimi Nr. 45/2025 i Gjykatës Kushtetuese, datë 31 korrik 2025
- Vendimi i Komisionit Rregullator të KQZ-së, datë 14 korrik 2026, mbi procedurat e nënshkrimeve referendare
- Komisioni Evropian, Raporti 2025 për Shqipërinë
- “Flamingo Revolution” — kronologji dhe raportim ndërkombëtar
- Mongabay — mbi projektin turistik në Vjosë-Nartë të lidhur me Jared Kushner